Tiranë, 6 korrik 2014  – Një ditë pas takimit të përbashkët mes grupit të hetimit të Prokurorisë, SHISH-it dhe Policisë, është vendosur ndërprerja e aksionit të gjerë që ndërmorën forcat e rendit në zonën e Laçit dhe Mamurrasit në lidhje me motorin “Suzuki VStorm”, raporton “Panorama”. 

Në analizën e zhvilluar në Prokurori tri ditë më parë, mësohet se është analizuar ecuria e aksionit të Policisë në Durrës, Krujë, Laç dhe Mamurras dhe është konstatuar se forcat e rendit kanë krehur krejt zonat e dyshuara. 

Për këtë arsye është vendosur që kontrollet të ndalojnë, megjithëse do të ketë prani të reduktuar të Policisë për mbikëqyrjen e disa personave të dyshuar. “Kërkimi” për motorin do të vazhdojë me metodat speciale të hetimit.

Për më shumë se një javë, zona e Fushë-Kuqes në Mamurras ka qenë epiqendra e hetimeve dhe e kërkimeve të Policisë.

 Në ditët e para të kërkimeve policia gjeti një motor dhe dy skafandra, që pretendohet se janë të ndryshme nga ato që kanë përdorur vrasësit e biznesmenit. 

Në takimin e mbajtur ditën e premte në Prokurorinë e Tiranës së bashku me SHISH dhe Policinë, mësohet se grupi i hetimit ka analizuar pista konkrete në lidhje me vrasjen e biznesmenit Artan Santo. 

Burimet nga hetimi kanë thënë se nuk mund të bëjnë publike asgjë nga procesi, por theksojnë se pista kryesore që po ndiqet, është ajo e vrasjes së 58-vjeçarit Artan Santo për shkak të detyrës së tij.

Pas marrjes në pyetje të mbi 110 personave, grupi i përbashkët hetimor ka vendosur të mbajë nën mbikëqyrje një rreth të ngushtë personash të dyshuar se kanë dijeni mbi krimin. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/