6 gusht 2015 – Policia thotë se ka në dorë të dhëna të reja për zbardhjen e vrasjes së bankierit Artan Santo. Sipas gazetës “Shqip”, grupi hetimor është shumë pranë zbardhjes së emrave të dy autorëve. I kontaktuar nga gazeta, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa thotë se janë pranë zbulimit të autorëve.
“Hetimet kanë përparuar së tepërmi. Policia qendrore dhe ajo lokale kanë intensifikuar veprimet dhe mund të themi se jemi pranë identifikimit të autorëve të vrasjes së Artan Santos”.
Hetimet morën një drejtim të ri pas pas daljes në skenë të emrit të Durim Bamit, personit që sipas deputetit Tom Doshi është paguar për ekzekutimin e tij. Të dyshuar kryesorë sërish mbeten kushërinjtë nga Fushë-Kruja, Klodian dhe Gazmir Gjozi, të arrestuar pak ditë pas vrasjes, por të liruar për mungesë provash.
Lënia e lirë e kushërinjve Gjozi dhe arresti shtëpiak i Bamit, sipas burimeve, mund të jetë bërë për shkak të mbledhjes së provave të mjaftueshme, që do të përdoreshin në gjyq, si bisedat e mundshme mes tyre që më 26 qershor e deri në ditët e sotme.
Burimet policore nuk lënë pa përmendur mbi 100 orë filmime të kamerave të policisë, bashkisë, institucioneve dhe ambienteve private, të cilat janë ekzaminuar këta muaj. Lëvizjet e motorit janë të dokumentuara, deri në çastin e humbjes së gjurmëve. Me dhjetëra dëshmi janë administruar në këtë dosje, ku më kryesorja është ajo e shoferit të Santos dhe personave që ishin pranë vendngjarjes ditën e vrasjes, shkruan gazeta “Shqip”.
Bankieri dhe biznesmeni Artan Santo mbeti i vrarë pas 6 plumbave të shkrepur me breshëri 26 qershorin e vitit 2014.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/