Ismet Haxhia, i cilësuar si një prej bashkëpunëtorëve të vrasjes së deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga burgu më 21 janar 2016, duke përfituar nga ligji i amnistisë, pasi i kishin mbetur më pak 2 muaj burg.
“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se Ismeti, vëllai i Izet Haxhisë (ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha) vuajti dënimin në burgun e Peqinit prej 15 vitesh, për vrasjen e ndodhur në shtator 1998 para selisë së PD-së, ngjarje që u cilësua si ‘vrasja e shekullit’. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Ismet Haxhia thotë se tashmë është një qytetar i thjeshtë dhe lirimi i tij nuk përbën lajm.
Ai shtoi se ka shlyer dënimin që kishte marrë dhe tani ka rifilluar jetën. Pas daljes nga burgu të Ismet Haxhisë, si bashkëpunëtor në vrasjen e Hajdarit, tashmë prapa hekurave për këtë vrasje ka mbetur Jaho (Salihi) Mulosmani, i dënuar me burgim të përjetshëm.
I akuzuari tjetër për ngjarjen e asaj kohe është vëllai i Ismet Haxhisë që doli nga qelia, Izet Haxhia. Ky i fundit ka qenë truproja i Sali Berishës, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Hajdarit, por ndodhet në Turqi pasi ka fituar statusin e azilantit.
I akuzuari Isamedin Haxhia u dënua me 2.6 vite burg për armëmbajtje pa leje, kurse Fatmir Meta është liruar në sallën e gjyqit pasi nuk u gjetën prova që ta implikonin në vrasjen e Azem Hajdarit.