Policia e Shtetit njofton se ka kapur në kohë rekord autorin e vrasjes së biznesmenit Niko Goro në Himarë. Ai është Kliti Leka, banues në Tiranë por që jetonte e punonte përkohësisht në Vlorë e Himarë. Sipas policisë autori është arrestuar në Livadh disa minuta pas ngjarjes. Autori i vrasjes mësohet se ka qenë i pamaskuar në momentin që zbriti nga automjeti për të ekzekutuar biznesmenin Goro.
Nga ngjarja e rëndë mbeti e plagosur edhe motra e biznesmenit Goro. Viktima është kushëriri i parë i kryetarit të Bashkisë Himarë, Gjergji Goro. Nga të dhënat e para pranë grupit hetimor mësohet se autori punonte si elektricist në Himarë me një grup pune të vetin dhe pretendon se viktima i kishte një shumë rreth 70 mijë euro borxh për punimet që i kishte kryer në një objekt të ndërtuar.
Dyshohet se ky ka qenë konflikti mes tyre, që e ka shtyrë 53-vjecarin të qëllojë me armë biznesmenin. Autori e ka pranuar krimin në deklarimin e parë te policia, si dhe është shprehur i penduar për ngjarjen. Vijon hetimi për të dokumentuar dhe zbardhur më tej krimin që tronditi Himarën.





