I dyshuari kryesor për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në SHBA, Tyler Robinson, vazhdon të qëndrojë në heshtje përballë autoriteteve dhe nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, ka deklaruar guvernatori i shtetit të Utah.
Sipas guvernatorit, 22-vjeçari nuk ka pranuar të pohojë se është ai autori i ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik amerikan dhe politikën në vend. Megjithatë, ai shtoi se familja e të dyshuarit po bashkëpunon me autoritetet dhe ka ofruar mbështetje në hetime.
Guvernatori u pyet gjithashtu për një raport të publikuar nga New York Times, sipas të cilit Robinson kishte komunikuar me miqtë e tij përmes platformës Discord, pas të shtënave që i morën jetën mbështetësit të Donald Trump.
Ai konfirmoi ekzistencën e këtyre bisedave, duke thënë:
“E vetmja gjë që mund të konfirmojmë është se këto komunikime kanë ndodhur. Dhe askush në atë moment nuk e besonte se ai ishte autori i vërtetë.”
Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa publiku dhe institucionet kërkojnë përgjigje për një vrasje që ka ndezur debat të fortë politik dhe shoqëror në Shtetet e Bashkuara.





