Ish-efektivi i policisë Ervin Dalipaj, që është shpallur në kërkim policor si një ndër autorët e dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij duke theksuar se ato janë fabrikuar nga oficerë policie.

Në një komunikim për “News 24”, Dalipaj tha nga arratia se është i pafajshëm dhe se ka prova që vërtetojnë që ai ka qenë në Tiranë në kohën kur ndodhi krimi makabër.

“E mësova nga mediat rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut. Ditën e vrasjes isha në lokalin e një ish-kolegu që ka qenë oficer. Gjatë gjithë ditës kam qenë në Tiranë me të afërmit e mi, familjen time. Është e verifikueshme nga celulari im. E vërtetoj nga kamerat e sigurisë te lokali ku kam pirë kafe, dhe nga qelizat e celularit.

Nuk kisha njohje personale me Çollakun as në distancë. Me Denis Shtrazën kam marrëdhënie shoqërore. Shpallja ime në kërkim është tendencioze. Po kërkohem sikur jam terroristi i Parisit. Nuk dorëzohem se nuk kam besim te policia”, ka deklaruar Dalipaj.