Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar që të kryhen disa veprime të tjera hetimore që kanë të bëjnë me Denis Shtrazën, një ndër autorët e dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës.

Prokuroria ka kërkuar që të bëhet krahasimi i ADN-së së Shtrazës me gjurmët e gjakut që u gjetën në fashetat me të cilat ishte lidhur Gazmend Çollaku, dhe gjurmët e gjakut që u gjetën në mjetin tip Benz ML mbrëmjen e 6 janarit, vetëm pak orë pasi ishte rrëmbyer viktima, kur Shtraza u ndalua në Durrës së bashku me ish-policin në kërkim Ervin Dalipaj.

Në mjetin tip ML, mbrëmjen e ngjarjes makabre, gjithashtu u gjetën dhe 9 celularë, për të cilat mësohet se janë dërguar për ekspertim.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje arrest me burg për Denis Shtrazën, ndërsa i akuzuari i hodhi poshtë akuzat duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohet.