Vrasja e Sir David Amess po trajtohet si një sulm terrorist, i lidhur me ekstremizmin islamik, teksa oficerët bastisën dy shtëpi në Londër dhe një musliman me origjinë somaleze mbeti në paraburgim nga policia.

“Hetimet fillestare kanë vënë në pah motivin potencial të lidhur me ekstremizëm islamik”, ka thënë Policia Metropolitane në një deklaratë të lëshuar më 16 tetor.

Sir David po mbante një takim elektoral në Leigh-on-Sea, Essex, kur u sulmua papritur nga një person.

Amess ka qenë ligjvënës nga viti 1983, ka qenë i martuar dhe baba i pesë fëmijëve. Ai është nderuar nga Mbretëresha britanike Elizabeta II më 2015 për shërbimin e tij, duke marrë titullin Sir David. Në Parlamentin britanik, flamujt janë ulur në gjysmë-shtizë, ndërkohë që kanë lindur pyetje rreth sigurisë së ligjvënësve.