Gjykata e ka dënuar me burg për jetë Efthimoiu Efthimious i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë. Po ashtu gjykata ka dënuar me 33 vite Elton Halipaj, bashkëpunëtorin e tij.

Devi Kasmi u ekzekutua në Tiranë më 29 janar 2018, pas një pritjeje të ngritur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Dy persona me motoçikletë, kryen qitje me pistoletë, duke vrarë 41-vjeçarin.

Ata kanë qëlluar pesë herë, në kokë dhe në trup, duke u siguruar për ekzekutimin e shënjestrës së tyre.

Eftimiu, me origjinë nga një fshat pranë Artës, në Greqinë Jugperëndimore, ka hyrë në forcat e policisë greke në vitin 2004 dhe shërbente në rajonin e policisë në zonën “Syntagma”, në qendër të Athinës. Deri në vitin 2011, kur është pushuar nga detyra, është çuar tri herë në bordet disiplinore të policisë greke për shkelje të shumta.

Për këtë ngjarje ishin nën akuzë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal ish-speciali grek Efthimios Efthimiu si ekzekutori i Kasmit, Aurel Hoxhallari alias Altin Hoxhallari, Elton Habilaj, Marvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Marjo Meshini.

Për Marjo Meshinin, i cili dyshohet se nxori nga shtëpia Devi Kasmin natën e atentatit, dosja i kalon Gjykatës së Tiranës. Emri i të riut u zbulua pas verifikimit të thirrjeve dhe mesazheve telefonike në telefonin e Kasmit. Ai ishte kthyer në Shqipëri pas vitesh që qëndonte jashtë ku dyshohej se ishte përfshirë në narkotrafik.

Prokuroria ka konkluduar se këta shtetas njihen me njëri-tjetrin dhe kanë planifikuar vrasjen prej disa muajsh para se ta ekzekutonin Devi Kasmin. Hetimet për këtë rast u nisën nga Prokuroria e Tiranës, e cila më pas shpalli moskompetencë pasi u zbulua dhe grupi strukturuar kriminal dhe baza e tyre në zonën e Yrshekut.

Prokuroria në atë kohë tha se është e provuar përtej çdo dyshimi se “shtetasit në hetim Aurel (altin) Hoxhallari, Efthymiu Efthymiu, Elton Habilaj, në bashkëpunim mes tyre dhe të tjerë kanë planifikuar dhe kryer vrasjen e Devi Kasmit”.

Në banesën një katëshe e përdorur si bazë e grupit u sekuestruan: bomba, mina, 100 fishekë, 7 armë të kalibrave të ndryshme, 1 granat, 3 predha antitank, 5 granata, 5.6 kg tritol, 2 minta të gatshme për shpërthim, 6 selenciatorë, dylbi, shënjestra optike dhe 115.6 kg kanabis. Shtetasi grek rezulton se ka hyrë në Shqipëri më 10 nëntor 2017 i shoqëruar nga Aurel (Altin) Hoxhallari e deri ditën që u krye vrasja e Kasmit ka qëndruar në Shqipëri, ka zbuluar Prokuroria në hetimin e saj.

Devi Kasmi u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup, ndërsa policia dyshohet se porositës i vrasjes së tij është Domart Konjari, i cili kërkohet nga autoritetet shqiptare, por edhe ato franceze. Vrasja ka dyshime se ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë. Edhe gjatë kontrollit të banesës së Kasmit u gjetën 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.