FIER-Policia e Fierit ka arrestuar sot dy persona të tjerë si bashkëpunëtorë për vrasjen e 21- vjeçarit, Andi Prifti, një ngjarje e zbuluar në 20 janar.
Andrea Rrapaj 18 vjeç dhe Erald Elmazi 25 vjeç janë vënë në pranga, pasi akuzohen si bashkautorë të vjedhjes dhe vrasjes së 21-vjeçarit Prifti.
Policia ka sekuestruar telefonin celular që i përkiste viktimës dhe që e mbanin dy të arrestuarit e sotëm.
Më herët në pranga u vu 24 vjeçari, Gentjan Shahinaj, ndërkohë që tashmë numri i autorëve të vrasjes makabre ka shkuar në tre.
Policia ka rikonfirmuar faktin se vrasja është kryer në një tjetër vend dhe më pas trupi i pajetë është hedhur në një kanal në komunën Seman, në vendin e quajtur Kulla e Ujit, ku edhe u gjet nga kalimtarë të rastit në 20 janar.
Tre të rinjtë mësohet se synonin vjedhjen e parave të Andi Priftit, i cili sapo kishte fituar një lloto sport.





