FIER -Djali ynë nuk është vrasës. Ne e dimë se çfarë fëmijësh kemi rritur. Ne e vëmë dorën në zjarr për këtë, por nëse organet e drejtësisë provojnë të kundërtën, atëherë ta varin në litar!". Kështu kanë deklaruar dje prindërit e Gentian Shahinit, i cili u arrestua tri ditë më parë, pasi dyshohet se është autor i ekzekutimit të 21-vjeçarit Andi Prifti. Ndërkohë, policia e Fierit është e rezervuar në lidhje me ngjarjen. Gjatë një konference për shtyp dhënë mbrëmjen e së martës, krerët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit bënë me dije se 25-vjeçari Gentian Shahini dyshohet të ketë vrarë për motive të dobëta djalin e biznesmenit.
Për këtë ngjarje u shoqëruan edhe tre kushërinjtë e 25-vjeçarit, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar autorësinë e krimit që tronditi banorët e qytetit të Fierit. Gjatë marrjes në pyetje, Gentian Shahini ka pranuar se e njihte viktimën, por nuk kishte gisht në vrasjen e tij. I akuzuari ka pohuar se në kohën kur ka ndodhur krimi ndodhej në stanin e tij. Nga ana tjetër, policia ende nuk ka përcaktuar vendin ku u masakrua me thika 21-vjeçari, trupi i pajetë i të cilit u gjet pasditen e së dielës rreth 1.5 km në hyrje të Semanit. Gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimeve, ndërsa pohohet se viktima u ekzekutua për grabitje. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", nëna e 25-vjeçarit të arrestuar, Flora Shahini tha se djali i saj është i pafajshëm. Ajo kërkon drejtësi.
Djali juaj akuzohet për vrasjen e 21-vjeçarit Andi Prifti. Çfarë mund të na thoni në lidhje me ngjarjen?
Nuk mund të flas, jemi shumë të lodhur nga hallet. Edhe këtë gjë kishim mangët. Nuk e besoj që im bir të ketë vrarë njeri. E them me bindje, pasi e di se çfarë djali kam.
Përse jeni e bindur se Gentiani nuk është autor i krimit?
Jam e bindur se djali im nuk mund të ishte në dy vende njëkohësisht.
Ku ka qenë djali juaj të shtunën në darkë?
Ne kemi një stan me dele, në tokat mbas Sheqit të Madh. Gentiani ka qënë atje me kushërinjtë e tij. Në orën 21:30, ai erdhi në shtëpi dhe hëngri bukë. Pasi ndenji pak, ikur përsëri tek kushërinjtë në stan. Rreth orës 23:00 u kthye sërish në banesë. Motorin nuk e ka përdorur atë mbrëmje, e la në shtëpi.
A vutë re ndonjë shqe-tësim tek Gentiani?
Jo, ai ishte i qetë. Po të kishte ndonjë hall do të na e thoshte mua dhe bashkëshortit tim. E përsëris se im bir nuk ka gisht në vrasje.
Çfarë kërkoni nga shteti?
Kërkoj drejtësi. Djali im nuk është autori i vrasjes së 21- vjeçarit. Për këtë e vë dorën në zjarr. Nuk kam fëmijë të tillë, i kam rritur me halle, e shikoni vetë se çfarë banese kam. Mos më rëndoni shumë se nuk mundem të flas.





