Durrës, 19 shtator– Dy persona janë arrestuar, pasi dyshohen të jenë autorët e vrasjes së dy të moshuarve në Durrës, ndërsa është shpallur në kërkim i treti. Aktualisht policia po merr në pyetje dy të dyshuarit. Të arrestuarit janë përkatësisht shtetasit Velson Elmazi, 28 vjeç, lindur e banues në Elbasan, i dënuar më parë me 4 vjet burgim per vepren penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë” si dhe i dënuar për “Prodhim, shitje lëndësh narkotike” dhe Artur Kaçanolli, 28 vjec, lindur e banues në Shijak, nip i një prej viktimave(djali i vajzës së motrës së Gjinovefës). Arrestimi i tyre është kryer në mesnatë ndërsa policia tha se për Artur Kaçanollin po vijon puna në funksion të dokumentimit të rolit të tij në raport me ngjarjen. Gjatë kontrollit ne banesën e tij u gjet një sasi prej 65 fishekësh luftarake, 4 ndezësa detonatorë si dhe një sasi fitili zjarrpërcjellës. Gjithashtu është shpallur në kërkim Indrit Shaqja, 40 vjeç, lindur e banues në Shijak, i dënuar më parë për vepra penale kundër jetës dhe i dyshuar si i përfshirë në një sërë veprash të renda kriminale. Policia tha se nga hetimet e kryera ka rezultuar se krimi është ekzekutuar nga shtetasit Indrit Shaqo dhe Velson Elmazi, të cilët kanë hyrë në banesë pasi kanë thyer dritaren e katit të parë të banesës, me qëllim grabitjen e shumave të parave dhe floririt në të. “Ndërkohë që kanë hyrë në banesë shtetasi Indrit Shaqo ka qenë i armatosur me një armë zjarri, pistoletë, tha policia. Për të realizuar qëllimin e tyre kriminal autorët kanë lidhur ne gjymtyrë dhe iu kanë bllokuar gojën dy të moshuarave, duke iu shkaktuar asfiksinë.”
Ngjarja e rëndë që tronditi Durrësin dhe mbarë opinionin publik, ku u dhunuan për vdekje dy kunata e moshuara, përkatësisht Elsa dhe Gjinovefa Vava, ndodhi mbrëmjen duke u gdhirë 2 shtator të këtij viti, ndërsa kufomat u zbuluan rreth orës 7:00 të mëngjesit nga i biri i njërës prej viktimave. Gjithçka dukej si pjesë e një skenari filmi horror, pasi viktimat dyshohet të jenë mbytur me qese plasmasi, ndërsa burime policore kanë pohuar se të moshuarat i kishin të lidhura duar e këmbë me çarçafë se ishin mbytur nga asfiksia. Ngjarja ndodhi në katin e dytë të një banese private ku rrinin dy kunatat, e cila ishte në pronësi të tyre, në lagjen nr.11, pranë Postës të qytetit bregdetar. Ndonëse u përfol për dy pista hetimi, ngjarja u fokusua tek grabitja, pasi u konstatua se në banesë mungonin 200 mijë lekë. Edhe policia ka konfirmuar sot se vrasja është kryer me qëllim grabitjen e shumës prej 200 mijë lekësh që ndodhej në banesën ku jetonin dy të moshuarat.
/agjencia e lajmeve Dyrrah/





