Krimi i rëndë i ndodhur në qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka tronditur mbarë vendin. Burrë e grua janë gjetur të vrarë brenda në makinën e tyre tip “Benz” me targë AA006HA, rreth orës 06:40 nga banorë të lagjes “Naim Gjylbegu”, ku edhe ka ndodhur ngjarja.
Mësohet se i vrarë ka mbetur shtetasi Boran Bërçama, ish-efektiv policie në Shkodër, dhe gruaja e tij. Bashkë me ta në makinë në momentin e ngjarjes ndodhej edhe fëmija i tyre, një vjeç, por që fatmirësisht pa pësuar lëndime.
Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës kur Bërçama shërbente në Policinë e Shtetit, pasi së fundmi ishte polic në lirim.
Boran Bërçama, rreth 35 vjeç, ka punuar në Komisariatin e Shkodrës si Inspektor Krimesh, e më pas u bë Inspektor Rendi, por pas një mungese të pajustifikuar ai dha dorëheqjen në fund të vitit 2016. Bërçama njihej si eksponent krimi, pasi shoqërohej me grupe kriminale.





