Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e dy vëllezërve Bilali, ditën e djeshme në vendin e quajtur "Zooteknika"në lagjen "Guerrile" në Shkodër.
Mësohet se kur vrasësit kanë shtënë me automatik ndaj Ibrahim Bilalit dhe Astrit Bilalit, ky i fundit iu është kundërpërgjigjur atyre duke i qëlluar me pistoletë.
Kjo vërtetohet nga arma që është gjetur pranë trupit të tij nga hetuesit dhe krahas gëzhojave që kanë rënë përtokë. Po ashtu, hetuesit kanë gjetur edhe armën e vrasësve brenda makinës që po digjej më tej, një automatik.
Autorët i vunë zjarrin makinës në një rrugicë në Kiras, por mjeti i cili rezultonte i vjedhur prej në dhjetor të 2018-ës, nuk u dogj plotësisht. Zjarrfikësit e shuan zjarrin dhe Policia arriti të gjente në të disa prova.
Policia e Shkodrës ka marrë në pyetje 15 persona për vrasjen, ndërkohë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shkodrës, Vehbi Bushati, u shkarkua menjëhërë nga ministri Sandër Lleshaj, mbrëmjen e djeshme. Më vendin e tij është emëruar Niko Brahimaj.





