Gjykata e Apelit, si term juridik, është një gjykatë më e lartë që shqyrton vendimet e një gjykate më të ulët. Ajo kontrollon nëse vendimi është i drejtë, i bazuar në ligj dhe i argumentuar siç duhet.
Teksa navigoja në internet, në “faqen e librit” virtual, më del lajmi se Gjykata e Apelit tashmë kishte konkluduar që vendimi i një gjykate më të ulët nuk kishte qenë as parimisht dhe as faktikisht i drejtë, i bazuar në ligj dhe i argumentuar siç duhej.
Vendimi lidhej me vrasjen e një punonjësi policie në detyrë, me uniformën e tij të forcës “Shqiponja”, që përkonte si në emërtim ashtu edhe në ngjyra me flamurin tonë kuq e zi. Por ç’rëndësi do të kishte nëse uniforma e tij do të ishte blu, jeshile, e zezë apo e bardhë? Ndikimi dhe rëndësia do të ishin të njëjta.
Teksa arma e një të riu shkrepi ndaj një të riu tjetër, pa u matur dy herë, pa menduar dy herë, pa logjikuar dy herë, me vetëdije të plotë, tregon se jemi përpara një veprimi të mirë menduar dhe të mirë vendosur.
Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ishte vendosur që dënimi i autorit të ishte burgim i përjetshëm, gjë e cila përcaktohej në Kodin Penal aktual, jo në atë që po ridimensionohet e po bëhet si fjalori i gjuhës shqipe.
Atëherë, për familjarët e të ndjerit, për opinionin publik — që për ne ka shumë rëndësi, pavarësisht se çfarë bëjmë e çfarë nuk bëjmë — dhe për punonjësit e policisë, me vlera apo pa vlera, ishte një fije drejtësie në këtë lemsh ku jetojmë dhe shërbejmë. Por kishim harruar diçka…
Kishim harruar që në vendin e “maliqve” ndodhin edhe çudira.
Në vendin e “maliqve” ndodh që “hahet turpi me bukë”, edhe pse shpeshherë nuk pihet një gotë ujë nga mbrapa.
Në vendin e “maliqve” nuk ka rëndësi jeta, detyra apo përfaqësimi i një shteti.
Në vendin e “maliqve” ka rëndësi pushteti dhe ndikimi që kemi.
Në vendin e “maliqve” harrohet gjaku, harrohet dhimbja e nënës, babait, vëllait apo motrës. Harrohet se jemi të prekshëm, harrohet gjithçka.
Në vendin e “maliqve” harrohet edhe të jetuarit. Harrohet se çdo gjë ka një çmim dhe, pavarësisht maliqit apo maliqve, “shkon haka te i zoti”, siç thuhet nga anët tona.
“Shiu dhe ligji bien njësoj si për të drejtin ashtu edhe për të padrejtin, por lag vetëm të drejtin, sepse ia ka marrë çadrën i padrejti” — thoshte i nderuari Robert Ndrenika.
Por në vendin e “maliqve”, është marrë çdo çadër dhe u jepet e u shitet kujtdo që është maliq e jo ligj.
Vrasja e dytë në vendin e “maliqve” nuk është hera e parë që ndodh. Por ajo që ende na mban gjallë është shpresa se një ditë, maliqit do t’ia marrë hakun ligji.

M.K.