Prokuroria e Tiranës, kërkon arrest me burg në mungesë ndaj Andrew (Ervin) Bode, i dyshuari si një nga autorët që morën pjesë në ekzekutimin e Edmond Papës. Togat e zeza pritet të vlerësojnë kërkesën e organit të akuzës dhe të vendosin nëse do të përcaktojnë të njëjtën masë apo jo. Bode rezulton se ligjërisht nuk ka dalë nga territori shqiptar nga të dhënat e TIMS, ndërsa ka dyshime të forta të jetë larguar nga Shqipëria ilegalisht.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Bode është i dyshuari kryesor si ekzekutor i Papës, e provuar sipas saj nga pamjet filmike dhe qelizat telefonike që e kanë konstatuar prezencën e tij pranë vendit të ngjarjes në kohën kur është kryer vrasja. 44-vjeçari rezulton me precedent penal për drogë, por i pa dënuar me vendim të formës së prerë.

Albano Velo dhe Andrew (Edvin) Bode janë identifikuar nga Policia e Shtetit si dy personat që kanë planifikuar dhe vrarë biznesmenin Edmond Papa. Velo ka pasur rolin e vëzhguesit, ndërsa Bode, atë të ekzekutorit. Vrasja e Papës dyshohet se është bërë si hakmarrje ndaj ekzekutimit të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, i cili u vra me shpërthim të eksplozivit në makinë. Velo është vënë në pranga, ndërsa po hetohet dhe babai i tij, Dilaver Velo, i cili ishte punonjës policie në Komisariatin nr.4 në Tiranë, por pas përfshirjes së djalit në këtë ngjarje, u shkarkua.