Avokati Kujtim Ibraj, i ftuar në një studio televizive, ka folur për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga.

Avokati e cilësoi atë një ngjarje tragjike, dhe tha se “nëse institucionet do të ishin në zbatimin e ligjit, do të ishte tashmë e zbardhur plotësisht”.

Ai shtoi, se, për shkak se institucionet ligjzbatuese nuk kanë zbatur ligjin, ka një seri shkeljesh proceduriale.

“Është prokurorja, në rastin konkret, që udhëheq të gjithë veprimet hetimore. Unë nuk e kuptoj se si prokurorja ka lënë në heshtje të gjithë këto veprime. 

Si arriti Prokuroria në këtë konkluzion? Kemi një ndryshim tërësor për një vepër penale.

Vrasja me dashje është 10 deri në 20 vjet burg, ndërsa vrasja nga pakujdesia është nga gjobë në 5 vjet burg. Sipas mendimit tim, Prokurorja është në shpërdorim të pastër të detyrës.

Si ka mundësi që Polici ndenji në vendngjarje rreth 30 minuta, dhe nuk njoftonte ambulancën.

Si ka mundësi që nga vendi i ngjarjes deri në vendin që është nisur ambulanca janë vetëm 850 metra, si ka mundësi që kjo distancë bëhet për 7 minuta?

Veprimet dhe mosveprimet janë të dënueshme, duhet të kemi të tjerë persona që duhet të vihen nën akuzë. 

Si ka mundësi që të lihet në mes të një qyteti, 850 metra larg spitalit, të lihet në trotuar një qytetar dhe të vdesë”, tha avokati.