Autoritetet në Itali vijojnë hetimet për të zbuluar ekzekutorët e 26-vjeçarit shqiptar Endri Mrishaj, një ditë më parë në një bar në Milano. Shqiptari Artan Gjorka ishte një nga dëshmitarët e ngjarjes. Ai ka rrëfyer për mediat italiane se vrasësit ishin tre, dhe me siguri ishin me origjinë gjeorgjiane ose çeçenë. “Ata qëlluan shtatë herë me pistoletë. Gjaku u përhap kudo nëpër lokal. U përpoqa të frenoja hemorragjinë e Mrishajt, por nuk arrita ta shpëtoja. Ishin çaste të vërteta terrori. Unë po luaja videopoker në lokal dhe i pashë kur u futën autorët. Njëri prej tyre më kërkoi t’i thyeja 20 euro, por unë sapo kisha humbur 600 euro dhe iu përgjigja me nervozizëm. Atëherë ai shkoi tek baristi dhe papritur dëgjova të shtëna. Në fillim plagosën në këmbë baristin dhe pastaj qëlluan Endri Mrishajn dhe u larguan. U afrova dhe hoqa rripin për t’i ndalur rrjedhjen e gjakut, por nuk munda të bëja asgjë”, citon dëshmitarin balkanweb.
Sipas tij, autorët nuk ishin persona të njohur në zonë, pasi askush nuk i njihte.
“Nuk i kisha parë kurrë më parë. Ishin veshur mirë dhe kishin doreza në duar. Jam shqiptar dhe kam studiuar rusisht dhe nga mënyra se si flisnin mu duken si çeçenë.”- deklaroi Gjorka.
Ndërkohë policia italiane po shqyrton pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë së lokalit, ndërsa po heton në disa pista. Momentalisht, mendohet se shkak për vrasjen mund të jetë bërë prishja e pazareve të drogës.