12nëntor 2015 – Të tjera detaje janë zbuluar nga vrasja e Enton Nikës një ditë më parë në një prej lokaleve në zonën e Linzës, në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, një prej 5 autorëve të akuzuar për krimin, pikërisht Mirsad Kuçanaj, 28 vjeç, ka qenë punonjës policie.
Në pamjet video që u publikuan këtë të enjte nga kamerat e sigurisë, shihet se si ish-efektivi i Policisë së Tiranës, Mirsad Kuçanaj, 28 vjeç, ndodhet pranë Nikës, pak kohë pasi ai të vritej në grindje e sipër. Autori kryesor i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit është Ervis Martinaj, shkruan Panorama, ndonëse hetimet po vazhdojnë. Autorët e tjerë të identifikuar në këtë ngjarje janë: Emiljano Nina, 20 vjeç, Bujar Hasani, 32 vjeç dhe Oliver Gjoka, 29 vjeç.
Nga dëshmitë e marra në restorantin ku ndodhi krimi, fillimisht Martinaj kishte shkuar aty për t’i kërkuar pronarit, Ismet Gaxheri, një borxh që i kishte dhënë kohë më parë. Pas kishin pritur për rreth dy orë që ai të vinte në lokalin e tij, autorët e dyshuar dhe Gaxheri janë përballur jashtë ambienteve të restorantit. Sipas policisë, pronari i lokalit ka qenë nën shoqërinë e Nikës, ndërsa thuhet se ky i fundit kishte njohje edhe me Ervis Martinajn. Pas një konflikti fizik me tyre, Gaxheri ka mbetur i plagosur me qytën e pistoletës, ndërsa Nika është vrarë me një plumb në kokë. Autorët janë larguar pas vrasjes me automjetin tip “Mercedes Benz” me targa AA 725 MD, mjet i cili figuron i regjistruar në pronësi të Enton Nikës.
/portali Durrëslajm/