Dy ditë pas vrasjes së 20-vjeçarit Ervis Zyba, policia ka arrestuar edhe 2 të rinjtë e shpallur në kërkim si bashkautorë të këtij krimi.
Burime nga policia njoftojnë se u arrestuan Elgert dhe Dorjan Cara, përkatësisht 19 dhe 25 vjeç që të dy banues në fshatin Zhejë të Kurbinit, ndërkohë dje në pranga u vunë Xhevahir Lika e Drilon Leka.
Arrestimi i tyre u krye rreth orës 01:00 të 27 shkurtit si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Ndërkohë dje policia zbardhi dhe vrasjen e ndodhur në vendin e quajtur Fushë – Milot, në ambientet e jashtme të lokalit “Qershia” në Laç.
Pas hetimeve të kryera është bërë e ditur se objektiv i sulmit nuk ka qenë 20-vjeçari i cili mbeti i vrarë, por shoku i cili shoqërohej, Xhevahir Lika nga fshati Gjorm i Kurbinit.
Sipas grupit hetimor, ky i fundit kishte një konflikt i cili kishte nisur që para një viti kur ndodheshin në Itali me Elgert dhe Dorian Carën.