Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka kërkuar hetim më të detajuar sa i përket vrasjes së Faton Hajrizit, të dyshuarit për vrasjen e një polici serb në kufirin mes Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas saj “përdorimi etno-politik i aktit kriminal të vrasjes së një polici në Lloznicë nga ana e Qeverisë së Serbisë është i papranueshëm, i qëllimshëm dhe i parapërgatitur”.
“Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviçit (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë.
Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka shkruar Haxhiu.
Madje ajo thotë se arratisjet e fundit nga burgjet nuk duhet të kualifikohen si koincidencë, pasi sipas saj të gjitha ikjet po bëhen në drejtim të Serbisë, për shkak të garancive për mbrojtje nga ligji.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, tha Haxhiu.
Sipas saj mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por edhe nga çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.
“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, shkroi Ministrja Haxhiu.
Ndërkohë që ka shtuar se ka rrezik për tensione e sulme në Kosovë, të nxitura nga Beogradi që po e shfrytëzon këtë situatë.
“Në anën tjetër, përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm”, tha Haxhiu.
Duke e dënuar aktin e vrasjes së policit në detyrë, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë tha se hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës.