Pengmarrja dhe vrasja e Gazmend Çollakut ka ngritur në këmbë strukturat e policisë shqiptare, e cila ka shoqëruar 30 persona persona të njohur të botës së krimit, mes Durrësit dhe Tiranës, për të dhënë dëshmitë e tyre në komisariate.
“Newsbomb.al” ka mësuar se bëhet fjalë për njerëz të njohur, e me precedentë penalë të shumtë, ndërsa emrat nuk bëhen të ditur për arsye hetimore.
Çollaku u gjet ditën e djeshme i lidhur këmbë e duar dhe i hedhur anës rrugës nga autorët që e morën peng, të cilët e lanë në afërsi të fshatit Murqin në Krujë. Kishte plagë pas koke dhe sipas policisë, ishte vrarë me armë zjarri. Burime të policisë thonë se një pjesë e të shoqëruarve, përveç Durrësit, banojnë edhe në Tiranë. Fillimisht burimet thanë se pengmarrja dyshohet se kishte të bënte me vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 20 dhjetor në Durrës, ku humbën jetën shtetasit Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj.
Deri më tani mbetet ende e paqartë se çfarë roli mund të ketë pasur Çollaku në ngjarjen që u mori jetën dy të rinjve, megjithatë kjo pistë është duke u hetuar nga policia. Atentati i 20 dhjetorit ka mbetur ende mister dhe asnjë person nuk është arrestuar për atë ngjarje.
Policia është në kërkim të gjurmëve që mund të kenë lënë autorët.





