Gjaku i gjetur në bagazhin e fuoristradës “BENZ ML”, në pronësi të ish-policit në kërkim Ervin Dalipaj, nuk është i Denis Shtrazës.

Ekspertët e ADN-së pranë Policisë Shkencore, kanë arritur në konkluzion se gjaku i gjetur në bagazhin e mjetit, e që korrespondon me gjakun e gjetur në fashetën me të cilën i kishin lidhur duart viktimës Gazmend Çollaku, nuk është i Denis Shtrazës. 

Kjo përgjigje tashmë është bërë pjesë e dosjes penale pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, të cilët po hetojnë rrëmbimin me pasojë vrasjen e Gazmend Çollakut. Ekspertët thonë se kampioni i ADN-së i marrë nga pështyma e Denis Shtrazës është krahasuar me kampionët e gjakut të gjetur në bagazhin e mjetit dhe fashetën me të cilën i kishin lidhur duart Gazmend Çollakut. Nga krahasimi rezultoi se nuk është i njëjtë, duke ngritur dyshime se gjurma e gjakut mund të jetë e ish-efektivit të policisë i cili i fshihet drejtësisë. Siç duket për hetuesit, prova shkencore që implikonte Shtrazën në rrëmbimin e Çollakut nuk doli siç dyshohej, çka i mbetet t’i lehtësohet pozita penalë në këtë proces hetimor. Burimet nuk thonë se ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet me të arrestuarin Denis Shtraza, i cili që në momentin e arrestimit ka mohuar përfshirjen në rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Çollakut. 

Nga ana tjetër, edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj nga dita e rrëmbimit dhe vrasjes, policia e prokuroria nuk kanë siguruar ndonjë provë konkrete që mund të çojë hetuesit drejt identifikimit të autorëve të kësaj vrasjeje. Burimet thonë se po punohet në rrugë operative nga policia e shtetit për të bërë të mundur gjetjen e ndonjë prove të mundshme, që identifikon rrëmbyesit e Çollakut mbrëmjen e 6 janarit në Durrës. Ndërkohë burime nga prokuroria, i thanë “ABC News” se janë disa pista që organi i akuzës po ndjek, si ajo e vrasjes për përfshirjen në ngjarjen e dhjetorit ku u vranë dy persona në Durrës, pistën e trafikut të drogës dhe influencat e shpërndarjes dhe ajo e gjobëvënies.

(I arrestuari Denis Shtraza)

(Ish-polici në kërkim Ervin Dalipaj)