Apeli i Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Denis Shtrazën, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut.
Gjykata ka rrëzuar kështu kërkesën e tij për lirim nga qelia, duke e lënë atë sërish në burg. Shtraza, është personi i arrestuar për rrëmbimin e Gazmend Çollakut më 6 janar të këtij viti, i cili një ditë më pas u gjet i ekzekutuar buzë rrugës.
Ishte gjyqtarja Flora Hajredinaj e cila dha vendimin për masën e sigurisë. Ndërsa avokati i Shtrazës, Alban Qafa, tha në seancën gjyqësore, se klienti i tij duhet të lirohet. Sipas tij, “analiza e ADN-së e nxjerr Shtrazën të pastër, pasi gjaku i gjetur në makinë nuk i përket klientit të tij”.
Sipas policisë, vrasja është kryer në bashkëpunim me ish-oficerin e policisë, Ervin Dalipaj. Prokuroria bëri me dije se në makinën e Dalipajt, që u ndalua natën e vrasjes së Çollakut kur ish-oficeri i policisë gjendej bashkë me Denis Shtrazën, u gjetën gjurmë gjaku, të njëjta me ato që u gjetën në duart e Çollakut.
Ekspertiza ka provuar se gjaku nuk është i viktimës Çollaku, por nuk është provuar ende nëse është i njërit prej dy të akuzuarve.
Denis Shtraza, 33 vjeç, ka mohuar përfshirjen e tij në rrëmbimin dhe vrasjen e 40-vjeçarit Gazmend Çollaku, që u mor peng më 6 janar, në qytetin e Durrësit, dhe një ditë më pas është gjetur i vdekur dhe i lidhur këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin, të Krujës. Ai u kap duke tentuar të ikte nga Shqipëria, ndërsa Dalipaj është ende në arrati.





