Policia dhe Prokuroria e Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë po vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve që rrëmbyen dhe më pas vranë Gazmend Çollakun.

Dje, grupi hetimor është rikthyer sërish nw fshatin Murqinë të Krujës dhe konkretisht në vendin ku mëngjesin e së enjtes u gjet trupi i pajetë i 40­vjeçarit.

“Në rastet kur ngjarjet janë shumë të rënda, si ajo e ekzekutimit të Çollakut, është e domosdoshme që t’i rikthehesh disa herë vendit të ngjarjes për të siguruar provat hetimore që mundësojnë rënien në gjurmët e vrasësve.

Pas këqyrjes së vendit ku u gjet viktima, ne kemi siguruar elementë të tjerë të vlefshëm që i shërbejnë hetimit”, thanë burime nga policia e Durrësit. Sipas këtyre burimeve, Gazmend Çollaku është qëlluar për vdekje me 5 plumba pistolete në kokë.

Ndërkohë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se makina tip “Audi” A6 me targa gjermane, që u përdor për rrëmbimin dhe ekzekutimin e 40­vjeçarit Çollaku dyshohet të jetë automjeti që u grabit tri javë më parë në Vorë.

Sipas hetuesve të çështjes, mjeti iu është grabitur me armë tre të rinjve nga kryeqyteti, të cilët kishin qenë në Durrës.

E ndërsa ata po ktheheshin në Tiranë, në afërsi të Vorës u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë tre persona të maskuar dhe të armatosur, raporton Balkanweb.

“Ishin tre persona që ishin të veshur si policë. Në momentin që ne ndaluam, ata na vunë armën në kokë dhe na morën makinën. Më pas grabitësit u larguan me shpejtësi të madhe”, kanë deklaruar tre të rinjtë.

Mësohet se kjo ngjarjeje është denoncuar në policinë e Tiranës.

Ndërkaq, në lidhje me vrasjen mafioze të Gazmend Çollakut janë shoqëruar dhe marrë në pyetje rreth 70 persona nga Durrësi, Tirana dhe Kruja.

Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës kanë ushtruar kontrolle në banesat e një sërë personash që njihen me të kaluar kriminale, për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut