Pak minuta më prë kryeministri Edi Rama ka publikuar dy fjali në lidhje me vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi, por për shumëkënd, mesazhi i Ramës ka qenë i papritur.

Në vend të ngushëllimeve, Rama është “marrë” me “krokodilët" që derdhin lotë të kotë. Sipas kryeministrit Krokodilët janë ata që nuk e kanë dashur kurrë reformën në drejtësi dhe vettingun.

Por lidhur me këtë mesazh ka reaguar kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila është shprehur se kryeministri tregoi sërish papaërgjegjshmërinë e tij, duke tentuar që fajtorët t’i gjejë larg vetes dhe oborrit të tij. Kryemadhi ka ironizuar kryeministrin duke e quajtur “të vetëshpallurin Skënderbe”, që sipas saj po tenton të lajë duart nga përgjegjësia që i takon për vrasjen makabre që ndodhi në mes të ditës në Tiranë.

"Mënyra më e shëmtuar për t'iu shmangur përgjegjësive!  I vetëshpalluri “Skënderbe” i kohëve moderne nuk ka as konceptin më të vogël dhe ndjesinë e përgjegjësisë dhe si për çdo ngjarje kërkon fajtorë larg vetes dhe oborrit të tij. Vrajsa e një nëne, gruaje dhe punonjëseje dinjitoze të drejtësisë është këmbana për çdo shtetar të djeshëm dhe të sotëm për të mbajtur përgjegjësitë që na takojnë. Çdo përpjekje për të larë duart si Pontius Pilate është tregues i qartë i dështimit të qeverisë nga një burrë që thellë në ndërgjegjje ka ndoshta dobësite e tij për dhunën ndaj grave", shkruan Kryemadhi.

Këtë paradite gjyqtarja Fildes Hafizi u qëllua me armë zjarri në zonën e Xhamllikut në Tiranë nga ish bashkëshorti i saj Fadil Kasemi, i cili kishte pak javë që kishte lënë qelinë e burgut.