Robert Përpepaj, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Griselda Gjikolaj ka apeluar vendimin e Gjykatës nga arratia. Mësohet se përmes avokatit të tij, Përpepaj ka dorëzuar dosjen në Apel ku kërkon ndryshim të veprës penale nga vrasje në rrethana cilësuese në vrasje nga pakujdesia, pasi sipas tij ‘shënjestra’ nuk ka qenë 17-vjeçarja Gjikola.

Avokati i të riut ka theksuar se në ankimin që i ka dorëzuar shkallës së dytë të gjyqësorit pranojnë faktin se Përpepaj ka kryer vrasjen por kanë mohuar kategorikisht që mes Robert Përpepajt dhe Griselda Gjikolës të ketë patur njohje dhe as edhe një shkak për ta kryer vrasjen.

Mbrojtja thekson se në dokumentet e prokurorisë është e dokumentuar fakti që Përpepaj dhe Ronald Muzhaqi për shkak të një konflikti që kanë pasur më herët, kanë dalë për të rrahur Erion Bengën dhe Sajmir Hixhën.

“Robert Perpepaj kishte në plan ta mbante nën kanosjen e armës shoferin Erion Benga, ndërsa i pandehuri Roland Muzhaqi do t’i godiste ata me levë hekuri. Kur ka parë pistoletën, shoferi i ka dhënë gaz makinës dhe për pasojë, krejtësisht pa dashje plumbi ka kapur pasagjeren mbrapa shoferit, të ndjerën Griselda Gjikolaj. Nga sa me sipër, me provat e paraqitura nga akuza u provua se vrasja është kryer nga pakujdesia dhe jo me dashje. Përfundimisht, kërkohet ndryshimi i veprës penale nga vrasje në rrethana cilësuese në vrasje nga pakujdesia,”- thuhet në dosje.

Më 11 maj, Gjykata e Tiranës dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm Robert Përpepajn, ndërsa për Ronald Muzhaqin që është pas hekurave, dha 23 vite burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 28 dhjetorit të 2018 në zonën e Laprakës në Tiranë.