Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë dje në koncertin e bamirësisë "Ende ka jetë", të organizuar nga shoqata "Të ndryshëm dhe të barabartë", me qëllim mbledhjen e të ardhurave që do të shkojnë për të ofruar shërbime për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit dhe dhunës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se: "Rastet e fundit tragjike, të Ariela Muratit dhe Fildez Hafizit, na bëjnë më të vetëdijshëm se që nga qeverisja qendrore, pushteti lokal, qendrat komunitare e sociale, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe çdo punonjës policie, prokuror e gjyqtar, të gjithë duhet të bashkëveprojmë për të parandaluar rënien viktimë të dhunës e trafikimit, të çdo vajze e gruaje shqiptare, të çdo të mituri apo personi në nevojë. Gjatë mandatit tim si President i Republikës nuk do të trajtoj me falje të dënimit, asnjë person i cili është dënuar për dhunë në familje dhe njëkohësisht do kundërshtoj çdo amnisti të veprave penale të dhunës në familje apo të lidhura me to."

Presidenti Meta apeloi për një bashkëveprim të ri e të fuqishëm të gjithë institucioneve në vend për të rritur fuqinë denoncuese ndaj çdo rasti dhune dhe ndëshkueshmërinë maksimale sipas ligjit ndaj këtyre kriminelëve që po trondisin themelet e shoqërisë dhe familjes shqiptare.