Detaje të reja dalin nga vrasja që u shënua sot në fshatin Shkallë të Durrësit, ku u gjet i vdekur ish-kryeplaku i këtij fshati.
Mësohet se 54-vjeçari Mirosh Djaloshi, është gjetur rreth orës 6:30 të mëngjesit me një furkë në dorë (mjet që mbledh barin).
Sipas burimeve, mësohet se e gjithë kafka e të ndjerit ishte e thyer dhe koka e tij ishte e ndarë më dysh.
Nga mjeti bujqësor që iu gjet në dorë, dyshohet se 54-vjeçari e ka përdorur për t’u vetëmbrojtur ndaj autorëve të krimit. Ende nuk dihet se çfarë mjeti kanë përdorur këta të fundit për të realizuar krimin makabër, duke i ndarë kokën më dysh viktimës.
Ndërkohë, sipas hetimeve paraprake të policisë, dyshimet bien mbi familjarët e viktimës, pasi ai njihej si një person i alkoolizuar dhe ka pasur vazhdimisht probleme me ta pikërisht prej gjendjes së tij.
Të gjithë anëtarët e familjes janë shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tyre.
Ndërkohë në vendngjarje ndodhen efektivët e policisë, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si edhe zbulimin e plotë të ngjarjes.
(Pamjet nga vendngjarja)





