Një shqiptar, i cili akuzohet për vrasjen e 22-vjeçarit italian me origjinë rome, Manuel Spinelli, si dhe për armëmbajtje pa leje ka përfituar gjykim të shkurtuar.

Fitim Kaldoshi, 27 vjeç, kërkoi me anë të avokates gjatë seancës së zhvilluar të mërkurën që të gjykohej me proces alternativ. Kjo kërkesë u pranua nga trupa gjykuese dhe seanca e radhës për Kaldoshin do të mbahet më 18 korrik.

Por sipas medieve italiane, ka pasur disa momente tensioni gjatë seancës. Familjarët e Spinelli-t, mamaja, babai dhe e fejuara e tij kanë hedhur fjalë të rënda në drejtim të shqiptarit. Në një çast, babai i viktimës ka tentuar që të godasë me shkelm 27-vjeçarin Kaldoshi. Ka qenë trupa gjykuese, që vendosi largimin e tyre nga salla.

Por si ndodhi vrasja e Mannuel Spinell-it?

Spinelli sapo kishte dalë me disa miq nga një darkë në Teramo, ku ishte ndeshur papritur me Fitim Kaldoshin. Ky i fundit ishte duke kaluar me makinë me të dashurën e tij, ish-e fejuara e Spinelli-t. Sipas asaj që u zbulua nga hetimet, 27-vjeçari Kaldoshi ka kaluar afër grupit të Spinelli-t dhe aty, palët shkëmbyen fjalë ofenduese me njëri-tjetrin.

Në një moment, Kaldoshi del nga makina dhe nis një konfrontim fizik me Spinelli-n, duke e goditur dy herë me thikë, në fytyrë dhe në zemër. Ngjarja ndodhi qershorin e vitit të shkuar, ndërsa Koldashi e pranoi që kishte përdorur thikë, të cilën e mbante me vete gjithmone, por në atë rast për t’u vetëmbrojtur. /abcnews.al