Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për të dënuar me 16 vite burg, një prej autorëve të vrasjes së shtetasit Jurgen Kurti, e ndodhur në vitin 2019 në kryeqytet.

Apeli ka vendosur që të mos marrë parasysh kërkesën  e prokurorisë së Tiranës që kërkonte dënimin me 25 vite burg për shtetasin Elsi Levanti, i cili në sajë të gjykimit të shkurtuar do të vuajë në total  10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Në apel vetë i dënuari Levanti ka kërkuar pafajësinë, duke pretenduar se çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.

Njoftimi i Apelit:  

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale E.L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të  Kodit Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 18.03.2019, ku në rrugën “Zef Jubani” Tiranë, rreth orës 22:15, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale J.K, i akuzuar për këtë ngjarje është shtetasi me iniciale E.L.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 523, datë 01.03.2021 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.L, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit J.K, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri E.L do të vuaj 10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

– Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e masës së dënimit me 25 vjet burgim.

– Nga i pandehuri me iniciale E.L, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 02.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr.523 datë 01.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Jurgen Kurti njihej si biznesmen, menaxher i VIP-ave dhe ish-model. 26-vjeçari u qëllua me armë pak pas orës 22.00 të 18 marsit të vitit 2019, duke mbetur i vdekur në vend.

Kurti nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë, madje ai është ndaluar dy herë nga policia, për dy vrasje të ndryshme, njëra ajo e të atit.

Më konkretisht në vitin 2016, ai së bashku me dajën e tij Leonard Ristani, u arrestuan për vrasjen e babait, Artur Kurti. Mirëpo në vijim të hetimeve edhe për shkak se daja mori përsipër fajësinë, i riu u lirua.

Ndërkohë në vitin 2017, ai u ndalua në vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Jurgeni u akuzua se bashkë me vjehrrin e tij Konstandin Ekonomi dhe vëllanë e këtij të fundit Kujtim Ekonomi, pas konfliktit me Arapin për motive pronësie, ky i fundit mbeti i vrarë.