Zbulohen detaje të reja nga roli i të arrestuarve për vrasjen e Jurgen Kurtit më 18 mars në rrugën ‘Zef Jubani’, Tiranë. Makina me të cilën kanë lëvizur atentatorët ka qenë tip “Benz” ngjyrë gri, e cila është në pronësi të personit të shpallur në kërkim. Ajo rezulton me dokumentacion të rregullt e regjistruar në Fier.
Për të shkuar tek të arrestuarit policia ka grumbulluar mbi 50 kamera sigurie nga liqeni deri te ‘Pallati me Shigjeta’, nga ku ka zbuluar 4 të rinjtë dhe lidhjen mes tyre. Në drejtim të mjetit ka qenë i shpalluri në kërkim ndërsa pranë banesës së Kurtit dhe personi që e ndiqte në këmbë ka qenë 21-vjeçari, Elsi Leventi. Edhe momentin e vrasjes 21-vjeçarit ka qenë i pranishëm në zonë dhe dyshohet se ai ka njoftuar ekzekutorët për mbërritjen e Kurtit pranë pallatit.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë policia ka ndjekur lëvizjet e 21-vjeçarit dhe të makinës dhe është parë se pas atentatit ata janë takuar. Pas identifikimit të personave ata janë vënë në përgjim dhe janë arrestuar.
Arma, makina dhe sendet e tjera të sekuestruara nga policia janë gjetur në banesën e Alesio Berberit. Të 3 të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues para policisë dhe nuk kanë pranuar përfshirjen në këtë ngjarje. Ata rezultojnë të jenë me arsim 8 dhe 9-vjeçar dhe të papunë, çka rriten edhe më tej dyshimet për veprimtarinë e tyre. Policia ende nuk ka një motiv për ngjarjen, i cili ka çuar në vrasjen e Jurgen Kurtit i njohur ndryshe si “Menaxheri i VIP-ve”.
Burimi: BalkanWeb





