DURRES – Një javë pas vrasjes së kambistit Fatmir Kotarja, policia dhe prokuroria e Durrësit shprehen se nuk kanë ende asnjë të dyshuar konkret për grabitjen që i kushtoi jetën 46 vjeçarit. Burime policore konfirmojnë për Durrëslajm.com se megjithë numrin e madh të të shoqëruarve, rreth 150, ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve të vrasjes së kambistit Kotarja. Pak orë pas vrasjes policia e Durrësit vuri në dispozicion të personit që do jepte informacion mbi grabitësit shumën prej 10 mijë eurosh, por informatat e marra nuk kanë mundur ende të hedhin dritë mbi autorët e ngjarjes.
Policia dhe prokuroria e Durrësit deklarojnë se pista kryesore mbi të cilën janë përqendruar hetimet është ajo e grabitjes, pasi dyshohet se personat e maskuar kishin dijeni mbi lëvizjet e dy vëllezërve Kotarja dhe i kishin ngritur pritë para shtëpisë me qëllim grabitjen e parave që kishin me vete. Pistën e grabitjes e përforcon edhe më shumë fakti se dy personat e maskuar ishin të armatosur dhe janë drejtuar për tek makina, ku mesa duket e dinin se ndodhej xhiro ditore e pikës së këmbimit valutor, në pronësi të dy vëllezërve.
Duket se edhe dëshmia e vëllait të të ndjerit, Haxhi Kotarjes, nuk i ka mjaftuar policisë për të dalë me emra konkretë mbi identitetin e dy personave të maskuar, të veshur me të zeza, që sulmuan dy kambistët para derës së shtëpisë.
Vëllezërit Kotarja janë grabitur edhe në vitin 2000, por sipas vëllait të mbetur gjallë, Haxhiut, as në atë kohë nuk u zbulua identiteti i hajdutëve.
46 vjeçari, Fatmir Kortarja, u qëllua me armë zjarri të dielën e 27 janarit nga dy persona të maskuar. Ata arritën të plagosnin në këmbë kambistin, ndërkohë që morën me vete çantën ku ndodheshin 25 milion lekë të vjetra. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13.15 në lagjen nr.13 të qytetit bregdetar, në sektorin Iliria. Dëshmitar okular në vendngjarje ishte vëllai i viktimës, Haxhi Kotarja. I plagosuri 46 vjeçar humbi jetën drejt rrugës për në spitalin rajonal të qytetit.





