Nga Jolio Dine

Kërkoi lirinë, por vdiq aty ku lindi liria, i “dënuar” me vdekje, pa gjyq. Kapitulli me emrin e Ilia Karelit është pa dyshim nga më të dhimbshmit në librin e vuajtjeve të emigrantëve shqiptarë, kryesisht në Greqi. 42-vjeçari nga fshati Zhupan i Fierit, me emrin e vërtetë Kudret Kume, kishte emigruar për herë të parë në vitin 1994 në shtetin grek, me shpresën e një jete më të mirë. Me sa duket, jeta nuk ishte aq e lehtë sa e mendonte ai, pasi mungesa e dokumentacionit të rregullt bëri që të mos gjente hapësirën e duhur për të punuar. “Në fillim kam bërë dy ose tri ditë punë. Por duke qenë se nuk kisha letra, nuk mund të bëja gjë tjetër, veçse të vidhja…”, shprehet ai në një ekstrakt gjyqësor të dosjes penale të tij. Por rruga që zgjodhi për të fituar para, e futi në kalvarin e gjatë të sistemit të egër të Drejtësisë greke, aty ku hyn e nuk mund as ta imagjinosh se si do të dalësh. Ilia Kareli është shembulli më i mirë i kësaj. Provon për herë të parë ftohtësinë e qelive greke në tetor 1997, i arrestuar për “vjedhje”, për të cilat dënohet me plot 16 vjet e 5 muaj e kryen 8 vjet e 7 muaj. Vetëm 10 muaj shijon lirinë, kohë e mjaftueshme për t’u rikthyer në atdhe e për të takuar nënën, dëshirën e vetme që e shprehte me lot në sy sa herë që dilte në gjyq. Në 04.03.2007 nis betejën e radhës e të fundit me Drejtësinë greke. Arrestohet për grabitje, por gjyqtarët tregohen të pamëshirshëm me të dhe e dënojnë me 20 vjet burgim për “tentativë vrasjeje”, të cilën apeli ia ul, duke e dënuar përfundimisht me 12 vjet e 9 muaj. Me këtë dënim mbi supe transferohet në sektorin B të burgut të Malandrinos, aty ku të burgosurit punojnë e një ditë burg u llogaritet dy. Kareli është thjesht një i dënuar shqiptar më shumë në burgjet greke. Është një i panjohur edhe në atdhe, veç vendlindjes së tij. Askush nuk ia di historinë, askush nuk ia njeh vuajtjet apo padrejtësisë mbi të deri sa në 25 mars të këtij viti vret me një thikë artizanale gardianin e burgut të quajtur Jorgo Cironi. Por a ishte gardiani grek një viktimë e rastësishme? A ishte ai thjesht dikush ku duhej nxjerrë mllefi për atë që Kareli në letrën e fundit shkruante se “me atë gabim që kam bërë unë, nuk meritoj kaq shumë vite dhe ju ende vazhdoni të më mbani…”. E vërteta është se pas vrasjes së Jorgo Cironit fshihen ndoshta të tjera detaje. Ky i fundit ishte gardiani më i përkëdhelur i burgut e më i afërti me drejtorin për shkak të një lidhje krushqie. Karakteristikat e shqiptarit i kishin nxirë, duke ia cilësuar sjelljen “të keqe” e atë vetë “të rrezikshëm”. I ngarkojnë dy masa disiplinore për përdorim celulari e konflikt me të burgosurit. Si të mos mjaftonin këto, gjykata greke e dënon me 8 vjet burg për shitje heroine në burg. Askush nuk gjykon nëse e ka kryer apo jo, por ajo që çudit, është se as Kareli e as avokatja e tij nuk kishin marrë dijeni për këtë dënim. Krerët e burgut ia mbanin të fshehtë e, nëse është e vërtetë se Kareli i ka dhënë 60.000 euro Jorgo Cironit për të marrë leje, atëherë ata kanë luajtur me të. Surprizën se ishte dënuar edhe me 8 vjet e nuk mund të lirohej me kusht, ia rezervuan për ditët më të lumtura të tij, ditët kur Kareli i shprehej avokates se: “Për pak ditë dal e do shoh nënën”. Pas vrasjes së Cironit, Ilia Kareli nis rrugën e pamëshirshme drejt vdekjes. I prangosur, i pambrojtur, ndoshta edhe i pangrënë, dërgohet sa në një burg apo postë policore në tjetrën, e përfundon në Nigrita Serra. Me sy të nxirë, i dhunuar e i djegur ndoshta edhe me elektroshok futet në qelinë “frigorifer”. Fyhet, dhunohet e torturohet nga 14 gardianë për 2 orë e 41 minuta e më pas hidhet me urrejtje në shtratin e ftohtë të vdekjes, ende me pranga në duar. Ushqimi i çohet sa për kortezi, por ai ndërron jetë me barkun bosh dhe me shpirtin të mbushur me plagët e torturës, urrejtjen për padrejtësitë, por mbi të gjitha me dashurinë për nënën. Ilia Kareli nuk vdiq të enjten e 27 marsit… ai u vra 17 vjet më parë kur ra në kthetrat e sistemit të Drejtësisë e burgjeve greke. Prej asaj dite, vdiste çdo ditë që nuk ishte i lirë, ashtu siç shumë e shumë shqiptarë të tjerë po vdesin ngadalë në qelitë greke, deri kur toleranca dhe rezistenca i arritën kulmin e vendosi të kundërshtojë sistemin paranojak dhe të reagojë.

http://www.panorama.com.al/2014/04/14/vrasja-e-karelit-nje-fund-i-paralajmeruar-para-17-vitesh/