Bosi i drogës “El Mencho” dhe kreu i kartelit të frikshëm të drogës Jalisco Neë Generation është vrarë nga ushtria në një operacion sigurie. Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, u vra gjatë një operacioni ushtarak të kryer në agim të së dielës në qytetin Tapalpa, në shtetin qendror-perëndimor të Jaliscos. Kjo ngjarje ka sjellë trazira në gjithë vendin.
Mediat shkruajn se ekziston shqetësimi për një përshkallëzim të ri të dhunës në Meksika. Vendi po përjeton momente trazirash të mëdha me bllokime rrugore, djegie automjetesh dhe sulme të armatosura.
Vdekja e tij provokoi një reagim të menjëhershëm nga anëtarët e armatosur të organizatës, të cilët ngritën qindra barrikada në të paktën 20 shtete.
Shkolla dhe dyqane të mbyllura, kaos në aeroporte
Në Guadalajara, qyteti i dytë më i madh i vendit, shkollat dhe dyqanet mbetën të mbyllura, ndërsa shumë biznese u mbyllën nga frika e sulmeve. Rrugët u boshatisën dhe banorët u mbyllën në shtëpitë e tyre.
Skenat shqetësuese u shpalosën edhe në aeroportin e qytetit, ku fluturimet u anuluan ose u vonuan, ndërsa turistët dhe udhëtarët po kërkonin një mënyrë për t’u larguar nga zona. Në zonat bregdetare, si Puerto Vallarta, vizitorët u panë duke u larguar me nxitim ndërsa tymi nga automjetet e djegura ngrihej aty pranë.
Trashëgimia ose përballja me ekipet rivale
Presidentja e vendit, Claudia Scheinbaum, bëri thirrje për qetësi, por analistët vlerësojnë se eliminimi i liderit mund të shkaktojë konflikte të brendshme për trashëgiminë ose t’i hapë rrugën konfrontimit me organizatat rivale kriminale.
Pyetja e madhe është nëse vdekja e baronit të fuqishëm do të çojë në një dobësim të organizatës apo nëse Meksika po përballet me një cikël të ri incidentesh të dhunshme, me pasoja të paparashikueshme për sigurinë dhe stabilitetin social.





