Gjykata për Krime të Rënda dëgjoi sot pretendimet e ish-policit grek Efthimios Efthimiu, në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit, ku mohoi përfshirjen në ngjarje.
Ish-efektivi i forcave Speciale greke tha se në Shqipëri kishte ardhur për gjueti, pasi ai dhe miku i tij janë të apasionuar pas gjuetisë. Më tej, Efthimios Efthimiu, i dyshuar si personi që vrau Kasmin, pati ankesa për mënyrën se si transportohet nga paraburgimi në gjykatë, ndërsa tha se ndihej i pasigurt për jetën.
Gjatë seancës së djeshme, dhanë dëshminë edhe dy persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të vrasjes. Devi Kasmi u vra në janar të 2018 në rrugën "Kongresi i Manastirit" në Tiranë.
Nën akuzë për vrasjen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë vënë ish-speciali grek Efthimios Efthimiu si ekzekutori i Kasmit, Aurel Hoxhallari alias Altin Hoxhallari, Elton Habilaj, Marvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Marjo Meshini.
Organi i akuzës në hetimet e kryera për çështjen ka arritur në përfundimin se shtetasit e mësipërm njihen me njëri-tjetrin dhe kanë planifikuar vrasjen prej disa muaj para se ta ekzekutonin mbrëmjen e 29 janarit 2018. Autorët qëndronin në një banesë në Kombinat dhe shtetasin grek në Shqipëri, sipas akuzës e ka sjellë Aurel Hoxhallari.





