DURRËS, 5 nëntor 2014 –  Vrasja e katërfishtë në Tiranë, gjithnjë e më tepër po rezulton jo thjesht vrasje e një djali mamake të përkëdhelur, që vret njerëz për qejf. Disa hollësi në këtë vrasje të bëjnë të dyshosh se eshtë shumë më tepër se një vrasje e tipit, pse më pe me inat apo ngacmim këngëtareje e balerine-prostitutë. Nuk duket fort si vrasje nën efektin e alkoolit apo dhe të kokainës. Më poshtë po ofrojmë disa fakte, që të bëjnë të dyshosh se pas rrëkeve të gjakut fshihen afera ndërkombëtare shumë më problematike sesa një kasaphanë dy hapa larg kangjellave të Ambasadës Amerikane.

Kyçi i misterit mbetet vrasja e italianit Gianpaolo Azzola. Ka një tendencë konstante për të mjegulluar në media  mënyrën dhe shkaqet e vrasjes së të ndjerit. Media A1 Report dhe Shqiptarja.com on line të drejtuara nga një gazetar i nivelit të lartë me përvojë të gjatë si Carlo Bollino insistuan për orë të tëra me titra, por edhe me raportime nga vendngjarja se i ndjeri kishte vdekur nga një atak në zemër. Sadoqë të jenë të dobët gazetarët e terrenit të këtyre dy mediave, është e pamundur, që z. Karlo me profesionalizmin e lartë, që e karakterizon, ta hante sapunin për djathë. Për më tepër, që viktima ishte një patriot i tij, një italian.

Në media të tjera u hodh pista e vrasjes padashje, se gjoja plumbi ka përshkruar diagonalisht trupin e të ndjerit Demiri dhe pastaj ka goditur Azzola-n duke ngecur në trupin e tij. Pistoleta Tokarev ka municion me fuqi shpuese mbi mesataren, por pistoletë është e shkreta nuk është as AK 47, as karabinë Mauzer e as Cetmes spanjoll. Autopsia e trupit të të ndjerit (brima dhe këndi i hyrjes së plumbit) do ta hedhin poshtë këtë “kuti tymuese” të hedhur në media nga policia. Përpjekje  tilla më kujtojnë vrasjen e të ndjerit Isa Copës shikasit të Durrësit. Në fillim policia qëllimisht intoksikoi median dhe gazetarë të rekrutuar prej saj me pistën e vetvrasjes. Më pas, kur analizat e bëra në Gjermani e hodhën poshtë në mënyrë kategorike mundësinë e vetvrasjes, SHIK-u në mënyrë gjysëm zyrtare informoi specialistë të partnerëve euro-atlantikë se vrasja kishte si motiv xhelozinë. I ndjeri gjoja na kishte zënë dashnore të dashurën e një të forti dhe ky i fundit nga xhelozia na e kishte vrarë Isain e shkretë.

Për ta paraqitur vrasjen e shumëfishtë si një vrasje në grindje e sipër, policia intoksikoi mediat edhe me përrallën e këngëtares vlonjate Maya, që gjoja kishte qenë duke kënduar në lokal dhe ngacmimi i saj ishte shkrepsja, që i vuri zjarrin… Pra, njëlloj si i thanë xha Sulos te filmi Kapedani: sebepi i sherrit na ishte femra. Fatmirësisht këngëtarja është në Greqi qindra kilometra larg vendit të ngjarjes. Fakt ky, që e verifikuam me një kontroll të thjeshtë në sistemin Tims-Card të  PKK të Kufirit. Hane Sham hane Bagdat, vetëm si e si të mbulohet arsyeja e vërtetë e vrasjes.

Në mediat italiane si psh.  Corriere di Bergamo apo Sostenitori delle forze dell’ordine.info është bërë publik fakti, që në tavolinë me të ndjerin  Azzola ishte edhe një italian tjetër. Për më shumë shikoni linkun: Phttp://bergamo.corriere.it/notizie/cronaca/14_novembre_04/sparatoria-un-night-club-tirana-quattro-morti-bergamasco-5572aad0-644f-11e4-8b92-e761213fe6b8.shtml apo edhe linkun tjetër: http://ëëë.sostenitori.info/sparatoria-in-un-night-club-a-tirana-bergamasco-ucciso-in-manette-il-figlio-di-una-parlamentare-albanese/ Policia shqiptare nuk ka bërë publike asgjë për këtë italian të dytë misterioz. Kush është ai? A është pyetur si person, që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes? A vazhdon të qëndrojë në Shqipëri ky italiani, apo është larguar? Pse nuk informohet publiku për këtë italian të dytë?!

Nëse do hetohet në të kaluarën shqiptare dhe jo vetëm të të ndjerit Azzela do dalin fakte interesante të kontakteve të tij për arsye biznesi me Kryebashkiakun e majtë të Fierit. Do dalë meseleja e rikonstruksionit të stadiumit kombëtar dhe e klubit Kampionët në pronësi të një të afërmi të Sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Arben Ahmetajt e me rradhë. Ja vlen të hulumtohen këto kontaktë të të ndjerit si dhe lidhjet e tij me një program shumë miliona eurosh të qeverisë italiane, që ka për qëllim të ndihmojë popullin dhe qeverinë shqiptare. Përkatësisht lidhjet e të ndjerit me programin IADSA: Konvertimi i borxhit për Zhvillim. I ndjeri ia kishte dalë të përfitonte nga disa projekte të këtij programi. Vallë a ka përdorur ai të njëjtat mjete dhe instrumenta lobimi si në rastin e qethjes së fondeve të të njëjtit program për luftën kundra kancerit të gjirit?! Vallë a ka bashëpunuar  i ndjeri me organe të caktuara të shtetit italian për punë të caktuara?!

Tashmë është rihapur në shtyp historia e lidhjeve të biznesit në formë ortakërie të tijat me një ish-ministër famëkeq Peruvian. Manuel Augusto Blacker ministri në fjalë në rrethana të panjohura dhe me mangësi në dokumentat e udhëtimit fluturoi nga Aeroporti i La Guardias së Nju Jorkut në Itali. Më pas po me mungesa në dokumentat e udhëtimit, pa i hyrë gjemb në këmbë fluturoi nga aeroporti Leonardo da Vinci në Rinas. Po të shqyrtosh mediat në spanjisht, kryesisht ato peruane, ministri në fjalë qrvec pjesëmarrjes në Pronunciamento militare (grusht shteti) përflitet edhe për kontakte biznesi me fraksione radikale e drogë-prodhuese të organizatës terroriste Monopati i Shndritshëm “Shentjero Luminozo” Kjo organizatë pas vrasjes së Compagniero Alipio-s po kërkon të riorganizohet dhe rivitalizohet, por vuan nga mungesa e fondeve e likuiditeteve aq të nevojshme për prokurim municionesh dhe armatimesh. Historia e vrasjes së katërfishtë dhe përpjekjet e policisë e të mediave mercenare për të mbuluar aspekte të caktuara të masakrës të detyrojnë, që të shtjellosh teori konspirative edhe më të guximshme se ato, që ofron zakonisht publicisti i njohur Kastriot Myftaraj. Prandaj ia vlen të hulumtohet nëse kjo organizatë po importon armë duke i paguar me klering, me “mall”? A po importon Monopati i Shndritshëm të tilla armatime me kontejner nga Shqipëria? 2-3 pista aviacioni klandestine (rudimentary airstrips) nuk mund të mbahen operacionale vetëm me të ardhurat e eksportit të “barit” të Kurbinit apo të Starjes së Kolonjës. Hyrja apo tentativë hyrja e kokainës në shqipëri në sasi prej dhjetra kilogramësh apo edhe kuintalësh ka vetëm një burim furnizimi: Amerikën Latine. Deri dje ishte rruga e bananeve ekuadoriane. Sot ndoshta sapo ka filluar të hyjë në veprim rruga peruane.

Nga policia shqiptare nuk mund të presësh më shumë si motiv krimi se sa vrasjen në zënkë e sipër. I mbetet gazetarisë investigative të hulumtojë për të tjera pista në vrasjen e të ndjerit Azzala.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/