Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë "burg pa afat" për Gëzim Kajnon, pronarin e njohur të lokaleve “Lord’s” në Durrës, i akuzuar për vrasjen e 30-vjeçarit Asllan Kërtusha, mbrëmjen e 1 marsit.
Ndërkohë, një ditë më parë gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë arrest me burg për kushëririn e tij Bledar Kajno, i akuzuar gjithashtu si autor i dyshuar i vrasjes së 30-vjeçarit.
Seanca e ditës së djeshme është zhvilluar pa praninë e 39-vjeçarit, për shkak se ai gjendet i shtruar në spital në Tiranë, si rezultat i një plumbi të marrë në krahë po atë mbrëmje.
Mekanizmi i ngjarjes:
Më datë 01.03.2016, rreth orës 19:00, në lagjen Nr.17, pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno nën efektin e alkoolit dhe për motive të dobëta janë konfliktuar me shtetasin Asllan Kërtusha në ambientet e brendshme të lokalit.
Më pas, në konfikt e sipër, kanë dalë jashtë lokalit ku shtetasi Gëzim Kajno e ka goditur më qytën e pistoletës në kokë shtetasin Asllan Kërtusha dhe si pasojë e një shkrepjeje të armës së zjarrit është plagosur në krah shtetasi Bledar Kajno.
Po me të njëjtën pistoletë, shtetasi Gëzim Kajno ka qëlluar Kërtushën, i cili nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.
Në vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan:
• dy gëzhoja model 54 kalibri 7.62 m/m dhe
• 3 copë fishekë kalibri 7.62 m/m.
Asllan Kërtusha, 30 vjeç, banues në Durrës, është person më precedentë penalë të mëparshëm duke konsumuar disa vepra penale si: vjedhje, në fushën e lëndëve narkotike, kundërshtim i Punonjësit të Policisë, konflikte në lokalet e natës si edhe ka pasur lidhje shoqërore me persona me precedentë penalë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





