Gjykata e Durrësit ka liruar shtatë të arrestuarit për protestën e organizuar të premten që lamë pas në Durrës për vrasjen e Klodian Rashës nga efektivi i policisë. 

Mësohet se gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj të arrestuarve, tre prej të cilëve të mitur.

Nën akuzën se organizuan para bashkisë dhe drejtorisë së policisë vendore, grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, kundërshtuan punonjësit e policisë dhe penguan qarkullimin e mjeteve të transporteve, policia e Durrësit  arrestoi në flagrancë 7 shtetas, procedoi penalisht 15 shtetas, si dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Ndaj të proceduarve penalisht për protestën rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Shkatërrim i pronës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshëm”.

Sipas akuzës, shtetasit e arrestuar kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, nuk i janë bindur urdhrit të Policisë për t’u shpërndarë dhe kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në qytet.