Ministri i Brendshëm i dorëhequr, Sandër Lleshaj ka folur përsëri në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë.
Në një intervistë për “Report Tv” , Lleshaj është shprehur se kamerat e sigurisë kanë zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe është provuar se polici ka tejkaluar veprimet për mbrojtjes.
“Kamera e trupit nuk prish punë pasi ajo do të na tregonte rrjedhjen e ngjarjes, ndërkohë që dinamika e ngjarjes është e zbardhur nga një mori kamerash. Tashmë është e provuar që ngjarja është bërë në tejkalim të mbrojtjes në kushte ligjore të punonjësit të policisë. Ne kemi nevojë të analizojmë dhe të përmirësojmë punën e policisë. Por nuk evidentojmë defekte në zinxhirin e komandimit të policisë, sipas vlerësimit të deritanishëm është e gjitha një dramë e sjelljes së papërshtatshme e një polici të vetëm të policisë. Duhet parë sepse ende nuk e kemi një përse. Vetë punonjësi i policisë nuk e ka thënë ende pse. Motivi dhe detajet e vendimmarrjes së punonjësit të policit në ato çaste mbeten për t’u sqaruar”, tha Lleshaj.
Lleshaj dha dorëheqjen pak ditë pas ngjarjes, ndërsa vendi vijon të përfshihet nga protestat. Tashmë, qytetarët kërkojnë largimin e drejtorit të Policisë, Ardi Veliu.





