Sot do të protestohet edhe në Durrës, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë pasi viktima theu orën policore.

Mësohet se një grup të rinjsh do të protestojnë në orën 18:00 në qytetin bregdetar në vazhdën e protestave që po zhvillohen në mbarë vendin.

Kujtojmë që më 9 dhjetor, një ditë pas ngjarjes së rëndë, një grup të rinjsh në Durrës protestuan para godinës së prokurorisë së rrethit, ndërsa ditën e djeshme policia bëri me dije se ka proceduar penalisht kreun e FRPD-së Durrës, Artion Bajramaj dhe studentin e UAMD-së, Shyqyri Myrtollarin, si organizatorë të protestës.

Pavarësisht procedimeve penale, arrestimeve por edhe dhunës së ushtruar nga policia ndaj qytetarëve, këta të fundit shfaqen të vendosur për të vijuar me protestat.

Për vrasjen e 25-vjeçarit, ministri i Brendshëm, Sandër lleshaj dha dorëheqjen ndërsa protestuesit kërkojnë që të njëjtën gjë të bëjë edhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.