TIRANE, 25 shkurt 2013 – Arben Frroku dhe Jak Jaku janë dy të dyshuarit e arrestuar për vrasjen e ish-shef të Komisariatit Nr.6 Dritan Lamaj, i cili u qëllua me 12 plumba para shtëpisë së tij një ditë më parë. Arrestimi i tyre është bërë në Selanik të Greqisë rreth orës 14:30 të ditës së sotme.

Policia tha se të dy të dyshuarit kanë kaluar në shtetin fiqnjë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, rreth orës 20:45 të ditës së djeshme. Nëpërmjet një konference për shtyp, policia tha se nga terësia e veprimeve hetimore rezulton se autorët e dyshuar e kanë kryer vrasjen për shkak të detyrës si punonjës policie i Lamajt.

Nga kontrollet e ushtruara në banesat e të ndaluarve është gjetur një arsenal armësh dhe lëndësh narkotike.

Kështu në banesën e shtetasit Jak Jaku është gjetur; një armë zjarri Snajper, dy automatike të tipit Kallashnikov, pistoletë e tipit Berreta, dy armë zjarri të tjera si dhe një numër i konsiderueshëm fishekësh dhe municione të tjera. Po ashtu, po në shtëpinë e Jak Jakut janë sekuestruar edhe 529 gram heroinë, 396 gram kokainë dhe 35 gram marijuanë. Pas këtyre kontrolleve policia ka vënë në pranga edhe shtetasin Ndue Jaku, 21 vjeç.

Sipas policisë është bërë e mundur gjithashtu edhe gjetja e automjetit, me të cilën kanë lëvizur dy autorët e dyshuar të vrasjes. Njëri prej te arrestuarve, biznesmeni Arben Frroku kishte akuzuar me parë ish shefin e Komisariatit Nr.6, Dritan Lamaj për ushtrim dhune ndaj tij.

Kryekomisari, Dritan Lamaj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në Tiranë, brenda makinës së tij. Oficeri që aktualisht mbante detyrën shef seksioni në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, u qëllua me të paktën 12 plumba, me dy breshëri automatiku kur ndodhej në makinën e tij tip “Lança Y”, me targë TR 2564 N, të cilën sapo e kishte parkuar poshtë banesës së tij. Atentati mafioz dhe i mirorganizuar ndodhi rreth orës 18:30, pranë kryqëzimit të shkollës “Vasil Shanto”, mes një blloku pallatesh, ku banonte edhe familja e 41-vjeçarit Dritan Lamaj, oficer karriere në Polici.