Durrës, 16 mars 2014 – Policia e Durrësit ka prangosur të tre anëtarët e familjes Ndoj, e cila një ditë më parë tronditi opinionin publik në zonën e ish-Kënetës me vrasjen e krushkut dhe plagosjen e dhëndrit në derë të shtëpisë.

Në pranga veç kryefamilajrit Anton Ndoj, 53 vjeç, kanë përfunduar edhe bashkëshortja e tij 45 vjeçe, Tereza dhe e bija, Antoneta. Gjatë përballjes me Përparimin dhe Xhulianin, Anton Ndoj duket se u ndihmua edhe nga gruaja dhe vajza. Tereze dhe Antoneta Ndoj u arrestuan nga policia si bashkëpunëtore në krim. Ato dyshohet se qëlluan me mjete të forta e thikë krushkun dhe dhëndrin. 

21 vjeçarja, Antoneta Ndoj, duket se u kthye në mollën e sherrit mes dy familjeve, që vetëm 2 javë më parë kishin celebruar martesën e dy fëmijëve të tyre. Sipas policisë, arrestimi i tre shtetasve u bë për arsye se pasditen e së shtunës, rreth orës 14.30, në banesën e tyre, në grindje e sipër kanë vrarë me armë të ftohtë (thikë) shtetasin Përparim Hoxha, 49 vjeç, si dhe kanë plagosur rëndë me armë gjahu djalin e tij Xhulianin, 22 vjeç. Në vendngjarje ka mbetur e plagosur edhe një shtetase,  N.Sh., 56 vjeçe, e cila ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe pas mjekimit në spitalin Rajonal Durrës është larguar për në banesën e saj.

Efektivët e rendit kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke, kalibër 12, dhe 2 thika. Mbi tre të ndaluarit rëndon akuza për konsumimin e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c dhe 25 të Kodit Penal.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/