TIRANE, 01 mars 2013– Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë tri prova të forta për të provuar se biznesmeni Arben Frroku është një prej të dyshuarve kryesorë për ekzekutimin mafioz të ish-shefit të komisariatit nr.6 në Tiranë, Dritan Lamaj. Pamjet filmike të një kamere sigurie, ku është regjistruar e gjithë skena e krimit, ku viktimë mbeti kryekomisari, një dëshmi okulare e një personi, i cili pretendon se ka identifikuar Arben Frrokun, si personin që qëlloi ndaj Lamajt, si dhe prova të gjetura në makinën tip “BMW”, e vjedhur në Durrës, por që dyshohet se u përdor nga atentatorët janë disa nga provat që prokuroria duket se do t’i vërë përpara gjykatës në momentin kur Frroku do të mbërrijë në Shqipëri dhe do përballet me drejtësinë. Gjithashtu, prokuroria pretendon se ka në dorë edhe disa biseda telefonike të përgjuara pas krimit të rëndë si dhe mesazhet kërcënuese të dërguara në drejtim të një zyrtari të lartë të policisë, që do të përdoren si prova fajësie ndaj Frrokut.
Detajet e arrestimit
Zbardhen detaje rreth arrestimit në Selanik të biznesmenit Arben Frroku dhe të djalit të dajës së tij, Jak Jaku, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në krim. Frroku dhe Jaku u ndaluan pa kaluar as 24 orë nga ekzekutimi mafioz i kryekomisarit, në një hotel në qendër të Selanikut, por vetëm dje policia greke ka dalë me një komunikatë zyrtare, duke konfirmuar faktin se dy të dyshuarit janë vënë në pranga për llogari të drejtësisë shqiptare.
Policia fqinje bëri të ditur se bashkë me Frrokun dhe Jakun është ndaluar dhe një shtetas shqiptar, i cili rezultoi se ishte dënuar për trafik droge, por kishte dalë nga burgu, pasi kishte përfituar një leje shpërblyese.
“U arrestuan, pas bashkëpunimit me autoritetet shqiptare dhe një operacioni të organizuar nga drejtoria policore e Selanikut, dy shtetas të huaj me moshë 44 dhe 31 vjeç, ndaj të cilëve kishin dalë urdhëra arresti, me qëllim ekstradimin e tyre në Shqipëri, për vepra penale të kryera në territorin shqiptar. Të arrestuarit, në orët e mbrëmjes së 24 shkurtit u futën në territorin grek dhe në orët e para të 25 shkurtit u lokalizuan në një hotel në qendër të Selanikut, ku u arrestuan. 44- vjeçari u identifikua si autor i vrasjes së një oficeri të lartë të policisë shqiptare, që ndodhi më 24 shkurt 2013, ndërsa 31-vjeçari është në ndjekje për prodhim dhe posedim të paligjshëm armësh luftarake dhe municioni, si dhe për trafik të lëndëve narkotike në Shqipëri”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë greke. Më tej, policia greke informon zyrtarisht se bashkë me ta “u arrestua edhe një bashkatdhetar i tyre, 36 vjeç, që ndodhej në të njëjtin hotel, pasi në posedim të tyre u gjet një sasi kokaine me peshë 3,4 gr, ndërsa 36-vjeçari kishte dalë me leje nga burgu ku vuante dënim prej 8 vjetësh e 6 muajsh, për trafik droge”.
Zyrtarisht autoritetet fqinje bënë të ditur se ndaj të arrestuarve do të kryhen procedurat përkatëse, ndërsa u informua edhe autoriteti konsullor i Shqipërisë. Në fakt, vetëm një ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i përcolli Interpolit dosjen e Arben Frrokut, për të nisur procedurën e ekstradimit drejt Shqipërisë.
PROVAT E PROKURORISE
-Pamjet e një kamere filmike, që ka filmuar gjithë skemën e ekzekutimit mafioz.
-Dëshmia e një personi që ka identifikuar autorët e krimit të rëndë.
-Biseda telefonike të përgjuara fill pas krimit.
-Shenjat e gjetura në makinën tip “BMW”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit, e cila u gjet në Domje të Tiranës.
/Marrë nga www.balkanweb.com/





