DURRËS-Shoferi i kryekomisarit të vrarë të Shijakut, Adem Tahiraj do vijojë të qëndrojë në burg. Kështu vendosi sot Gjykata e Apelit të Durrësit, duke  lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda nën argumentin se Fatmir Hoxha në momentin e vrasjes së kryekomisarit ka shpërdoruar detyrën, duke hedhur kështu kërkesën e avokatëve mbrojtës për rishikim të masës së arrestit. 

Fatmir Hoxha polic dhe shofer, si dhe Kastriot Gosturani u arrestuan nën akuzën e mosveprimit për të parandaluar vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj. 

Ndërsa Gosturani u lirua më 26 Dhjetor me një vendim të Gjykatës së Apelit, Fatmir Hoxha do vijojë të mbetet në burg. 

Familjarët e Hoxhës kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Apelit. Sipas familjarëve, një anëtar i gjykatës së Apelit kërkoi 15 mijë euro në këmbim të lirimit të Fatmir Hoxhaj. 
Më tej familjarët theksojnë se ka qenë Hoxha që është tërhequr zvarrë nga autori Ilir Xhakja, ndërsa Gosturani, shefi i Krimeve të Shijakut është larguar nga friak nga vendngjarja. 

Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani shoqëronin kryekomisarin e Shijakut ditën e vrasjes, por ata janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë ndërhyrë në momentin që autori i vrasjes Ilir Xhakja ka mbërritur në vendngjarje me armën, me të cilën qëlloi më pas Tahirajn. Në përfundim të hetimeve Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arriti në konkluzionin se dy efektivët Hoxha dhe Gosturani mund të parandalonin krimin. 

Ilir Xhakja konsiderohet i dyshuari i vetëm dhe kryesor për vrasjen në detyrë të kryekomisarit Adem Tahiraj, shef i Komisariatit të Policise së Shijakut, ngjarje e ndodhur me 13 shtator në fshatin Katund Sukth, 12 km larg Durrësit. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda më 17 shtator ka caktuar masën 'arrest me burg', ndaj Ilir Xhakjas, i cilësuari si i “forti” i Shijakut.