*Dënimin maksimal ka dhënë gjykata e Durrësit për grabitjen me pasojë vrasjen e kunatave të moshuara Vava në Durrës mbrëmjen e 1 shtatorit 2014
*Nënës së Velson Elmazit i bie të fikët pas vendimit
Trupi gjykues i kryesuar nga relatorja Anita Mici vendosi “Burg për jetë” me akuzën e “vjedhjes me pasojë vrasjen kryer në bashkëpunim”, për Indrit Shaqjen, Velson Elmazin dhe Artur Kaçanollin, nipin e kunatave të moshuara. Po kështu, gjykata vendosi që dënimi nga tre të pandehurit të kryhet në burgje të sigurisë së lartë. Mbrojtja e tre të pandehurve sot në sallën e gjyqit, kërkoi dënime më të buta nga çfarë kish kërkuar më herët prokuroria e përfaqësuar nga Anila Bebeci. Në sallën e gjyqit prezent ishte vetëm Velson Elmazi, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësoheshin me avokatë mbrojtës.
Pas leximit të vendimit, nënës së Velson Elmazit, i ka rënë të fikët në sallë të gjyqit, vetëm pak centimetra larg prej kafazit të hekurt ku gjendej i biri.
Velson Elmazi i ka kërkuar edhe një herë falje e ndjesë të afërmve të të moshuarave, para se gjykata të shprehej për vendimin përfundimtar.
Me një vit burg gjykata dënoi edhe bashkëshorten e Indrit Shaqjes, Valbonën, për fshehje të krimit.
Për asnjë moment, mbrojtësi i Artur Kaçanollit nipit të të moshuarave, nuk pranoi akuzat e bëra nga prokuroria, duke sjellë në vëmendje prova e procesverbale që sipas tij, nipi i të moshuarave nuk ishte në dijeni për krimin e kryer nga Indrit Shaqja dhe i pandehuri Elmazi. Mbrojtja e të tërë të pandehurve ngriti si pretendim moszhvillimin e një gjyqi normal, për shkak se nuk është marrë parasysh as kërkesa e autorëve për gjykim të shkurtuar, çka do të ulte automatikisht dënimin nga burg përjetë në 25 vjet heqje lirie.