TIRANË, 26 shkurt 2013 – Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën “arrest me burg” në mungesë për biznesmenin Arben Frroku, autor i dyshuar për vrasjen e Dritan Lamaj, ish-shefi i Komisariatit Nr. 6 në Tiranë.

Frroku dyshohet se është personi që i mori jetën ish-shefit të Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, duke e qëlluar me breshëri automatiku mbrëmjen e së dielës vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Biznesmeni i “Xhoi Lloto” u vu në pranga pak orë pas atentatit mafioz të shënuar në zonën e “Vasil Shantos”. Frroku, u arrestua dje në Selanik të Greqisë bashkë me të dyshuarin tjetër, Jak Jakun, 31 vjeç.

Policia e Shtetit, e cila konfirmoi lajmin bëri me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e autorëve të dyshuar, u sekuestruan 1 snajper, 2 armë zjarri automatike kallashnikov, 1 pistoletë, 2 armë gjahu, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme, etj. Ndërkohë autoritet kufitare në Kapshticë deklaruan se shtetasit Arben Frroku dhe Jak Jaku kanë kaluar kufirin mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30 si persona të rregullt.