DURRES, 1 prill 2013 – Hetimi i dosjes së Gentjan Bejtjas, i dyshuar për vjedhjen e automjetit tip BMW, që u përdor në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Durrësit. Më 28 shkurt trupi gjykues që mori në shqyrtim çështjen vendosi masë arresti 30 ditë burg për të pandehurin, me qëllim që t’i jepte kohë Prokurorisë të dokumentonte provat në ngarkim të të riut nga Fushe Kruja.
Ndërkaq ditën e sotme ka skaduar periudha e burgimit për të pandehurin, por çështja e tij këtej e tutje do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Gjatë gjithë kësaj kohe i pandehuri Bejtja nuk e ka pranuar akuzën dhe është deklaruar i pafajshëm.
Në një prononcim që babai i Gentjan Bejtjas ka dhënë për Agjencinë e lajmeve “Dyrrah” është shprehur i habitur kur ka mësuar se djali i tij nuk do të lirohej.
“Në mbrëmje mësova nga avokati mbrojtës që Gjykata e shkallës së Parë të Krimeve të Rënda i ka dhënë 30 ditë të tjera burg pa afat djalit tim, megjithëse ai nuk është dërguar para togave të zeza për t’u njohur me vendimin. Unë prisja që ai të dilte sot e të kthehej në shtëpi, por gjithçka është bërë pa na lajmëruar më parë neve, familjarëve të tij”,- tha Gani Bejtja.
Ndërkohë vetë 32-vjeçari Gentjan Bejtja, ish gardian i burgut në Fushë Krujë nuk ka pranuar akuzën ndaj tij. Bejtja dyshohet se është një nga dy personat që morën pjesë në grabitjen e automjetit tip BMW me targa Dr 19 44 F, në pronësi të agjentit doganor Fatmir Lila.
Automjeti në fjalë u grabit një ditë para vrasjes së ish shefit të komisariatit nr.6 në Tiranë, Dritan Lamaj dhe u përdor në vrasjen e këtij të fundit, më 24 shkurt.
Në provat që Prokuroria e Durrësit grumbulloi në ngarkim të Gentjan Bejtjes figuron një CD me pamje filmike, të regjistruara nga kamerat e sigurisë së një subjekti privat në rrugën "Aleksandër Goga".
Sipas prokurorit të çështjes, Ilir Turja, mjeti tip fuoristradë me targa AA470 CY, në pronësi të Gentjan Bejtjes, është parë në vendngjarje dhe prej tij ka zbritur një person ende i paidentifikuar që vodhi mjetin tip BMW në pronësi të Lilës.
Vjedhja u regjistrua në lagjen nr. 8, në kohën kur mjeti gjendej i ndaluar para një pastiçerie. Makina ishte lënë e ndezur nga pronari i saj dhe kjo i dha mundësi grabitësit të largohej menjëherë.
Sipas organit të akuzës i pandehuri ka ndihmuar autorin e vjedhjes së BMW, e cila u përdor në një krim që tronditi opinionin publik një ditë më pas.
Prokuroria e Durrësit bëri të ditur se ekzistojnë pamjet filmike që duhet të shqyrtohen, ndërkohë që i ka kërkuar gjykatës tabulatet telefonike, nga kompania celulare AMC, për të hedhur dritë mbi dyshimet e ngritura. Ekziston dyshimi i bazuar në prova se i dyshuari është një person që mund të hedhë dritë mbi ekzekutimin e kryekomisarit Dritan Lamaj.
/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





