Dy ditë pas vrasjes së Jani Kollçinakut, i njohur ndryshe si “Landi i Mirasit” i cili u gjet i pajetë anës rrugës Korçë-Bilisht, flet motra e tij. Zhaneta Hoxha tha për News24 se vëllait të saj i kanë ngritur kurth, duke akuzuar për krim shoqërinë e tij.

“Vëllait tim i ngritën kurth, e vranë pabesisht. Vëllain e ka vrarë shoqëria. Apel shtetit të gjejë autorin e vrasjes. Nëse nuk gjejnë autorin, do bëj vetë drejtësi”, ka thënë motra e 37-vjeçarit.

Kollçinaku u gjet i vrarë me plumb në kokë mëngjesin e së shtunës, ndërsa sipas policisë 37-vjeçari ishte ekzekutuar në vend tjetër dhe më pas ishte hedhur në rrugë.

Jani Kollçinaku ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe i skeduar nga policia si trafikant i lëndëve narkotike. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se i “forti” i Devollit (person me precedent penal) është qëlluar për vdekje për larje hesapesh, dhe konkretisht për prishje të pazareve të drogës.