Policia greke ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e mafiozit Jorgos Moskouris, i njohur si “Thamnakia”, ngjarje e ndodhur më 24 prill 2025 në Halandri.
Të arrestuarit janë identifikuar si Dhionis Kokoni, një tjetër me mbiemër Jupe, si dhe dy shtetas grekë Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos. Sipas autoriteteve, dy prej tyre janë me origjinë shqiptare.
Hetimi i Departamentit të Vrasjeve në Greqi, që zgjati disa muaj, tregon se grupi i arrestuar dyshohet se ka siguruar mbështetje logjistike për ekzekutimin, përfshirë armë, automjete dhe transport për autorët e huaj që kryen vrasjen dhe u larguan menjëherë pas saj.
Policia greke po heton gjithashtu lidhjet e mundshme të ngjarjes me rrjetin e krimit të organizuar të njohur si Entik, që dyshohet se operon nga Dubai dhe është i përfshirë në trafikun e kontrabandës së duhanit — një konflikt që mendohet të ketë sjellë edhe vrasjen e Moskouris.
Në hetime përmendet edhe Janis Lalas, si dhe mundësia e përfshirjes së grupeve rivale të mafias greke dhe ndërkombëtare.
Përveç vrasjes, të arrestuarit akuzohen edhe për episode të tjera kriminale, përfshirë një shpërthim në një shitës makinash në Nea Erythraia në gusht 2024, si dhe për vendosje të pajisjeve GPS dhe survejim të një avokateje të lidhur me botën e krimit.
Megjithë arrestimet, autorët e drejtpërdrejtë të ekzekutimit mbeten në arrati. Policia greke dyshon se dy vrasës profesionistë të huaj janë larguar nga vendi menjëherë pas atentatit, i cili ndodhi në mes të ditës jashtë një klinike private në Halandri.





